Deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë


 

Deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë


Më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, ku u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë. Ajo u shkrua nga Luigj Gurakuqi, në fillim si procesverbal i mbledhjes, por që përfundoi si deklaratë.

Ajo deklaratë sot nuk është në duart e shtetit shqiptar dhe ka shumë legjenda rreth ekzistimit të saj. Për këtë historiani Kristo Frashëri, në një intervistë për 100 vjetorin e Pavarësisë, ka thënë se më 25 vjetorin, gjatë festimeve në Tiranë, popullit i është shpërndarë nga një kopje e deklaratës, duke shtuar se ajo deklaratë ekziston diku, transmeton Koha.net.
Fotografia më e mirë e saj është bërë nga fotografi Kel Marubi, në 25 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili në atë kohë ishte fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror Shqiptar.
Nënshkrimet e deklaratës janë në po të njëjtën faqe, por disa prej nënshkrimeve janë edhe në faqen tjetër. Ajo ekziston e bashkuar në një fotografi, e cila është bërë e montuar nga Lef Nosi në 1937, po në atë 25 vjetor të Pavarësisë.
Ky është teksti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë
"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme".
Nënshkruesit e deklaratës kanë qenë këta delegatë:
Nga Berati: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara).
Nga Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati
Nga Delvina: Avni Bej Delvina
Nga Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri
Nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Langu
Nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Dajiu, Qemal Karaosmani, Dervish bej Biçaku
Nga Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi
Nga Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli
Nga Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci
Nga Kosova, Gjakova, Plava-Gucija: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit'hat Bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel Bej Begolli, Qerim Begolli
Nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo
Nga Kruja: Mustafa Merlika
Nga Lushnja: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa
Nga Mati: Ahmet Bej Zogolli, Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu
Nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima
Nga Peqini: Mahmud Efendi Kaziu
Nga Përmet: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora
Nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi
Nga Tepelena: Feim Bej Mezhgorani
Nga Tirana: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani, Ymer Sollaku
Nga Skrapar: Xhelal Bej Koprencka, Hajredin Bej Cakrani
Nga Shijak: Xhemal Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu
Nga Shkodra: Luigj Gurakuqi
Nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora
Nga Kolonia shqiptare Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.
Deklarta e montuar nga Lef Nosi
Deklarata e fotografuar nga Kel Marubi

Comments

Popular Posts